
20 aeroplanë do të aterojnë në aeroportet e Shkupit dhe Ohrit vetëm me mërgimtarë nga Zvicra. Prej tyre, 8 janë të linjës së rregullt, ndërsa 12 aeroplanë çarter do të aterojnë të shtunën dhe të dielën. Mërgimtarët drejt Kërçovës vijnë edhe nga Prishtina dhe Tirana, kurse ato nga Amerika kanë ardhur dhe mezi presin të derdhin votën për Fatmir Deharin
KOHA.MK
Shkup, 22 mars – Deri të dielën në Maqedoni do të aterojnë 12 aeroplanë çarter dhe 8 të rregullt me mërgimtarë, të cilët i janë përgjigjur thirrjes për të ardhur në vendlindje dhe për të votuar në Komunën e bashkuar të Kërçovës. Të gjithë vijnë nga Zvicra dhe siç njoftojnë zyrtarisht nga administruesi i aeroporteve “TAV” në Maqedonisë, 20 fluturimet janë paralajmëruar deri ditën e enjte. Nga agjencioni i marketingut “New Moment”, që është përgjegjës për marrëdhënie me opinionin të aeroporteve të Maqedonisë “TAV”, 11 aeroplanë çarter do të aterojnë në Aeroportin e Ohrit dhe një tjetër në atë të Shkupit. Ky i fundit niset të dielën nga aeroporti i Cyrihut, ndërsa në Ohër aterimet janë gjatë dy ditëve të fundjavës, të shtunën dhe të dielën. Të shtunën nga aeroporti i Cyrihut për në Ohër do të aterojnë 2 aeroplanë çarter, ndërsa 4 aeroplanë të tjerë nisen nga Bazeli. Ditën e diel, kur edhe mbahen zgjedhjet lokale, në Ohër do të zbresin 5 aeroplanë çarter, 3 prej të cilëve vijnë nga Cyrihu dhe 2 nga Bazeli. Ndërkaq, që nga dita e enjte deri të dielën në Maqedoni do aterojnë edhe 8 aeroplanë të rregullt, prej të cilëve 1 në aeroportin e Ohrit dhe 7 të tjerë në atë të Shkupit. Siç mëson gazeta KOHA zyrtarisht, në Aeroportin e Shkupit të enjten ka arritur një aeroplan i linjës së rregullt nga Bazeli, ndërsa një tjetër nga Cyrihu pritet të aterojë të premten. Ditën e shtunë në Shkup do të arrijnë tre aeroplanë të linjës së rregullt, edhe atë dy nga Cyrihu dhe një nga Bazeli, ndërsa ditën e diel në Maqedoni do të vijnë 3 aeroplanë nga Cyrihu, prej të cilëve dy do të aterojnë në aeroportin e Shkupit dhe një në atë të Ohrit. Fluturimet e paralajmëruara, si ato të rregulltat ashtu dhe ato çarter, janë të destinuar për zgjedhjet lokale në Kërçovë dhe pritjet janë të mëdha në këtë drejtim, pas apeleve të fundit që kanë bërë drejtues të partisë shqiptare në pushtet-BDI, e cila garon me kandidatin e saj Fatmir Dehari, dhe takimeve të zhvilluara me diasporën shqiptare muajve të kaluar.
Përveç këtyre ternimeve, gjatë ditëve në vazhdim ka mundësi që të bëhen edhe rezervime të tjera të fluturimeve çarter jo vetëm nga Zvicra, por edhe nga shtetet e tjera. Jozrytarisht mësohet se një numër i mërgimtarëve nga Kërçova do të arrijnë edhe përmes aeroportit të Prishtinës, por nga Prishtina nuk ka njoftime për fluturime çarter gjatë ditëve në vazhdim. Nga shërbimet e aeroportit thanë se informata të tilla nuk mund të japin, ndërsa nga disa agjenci që aranzhojnë çartet fluturimet thanë se deri të enjten nuk ka pasur çarter fluturime, por vetëm linja të rregullta. Nga Aeroporti i Prishtinës vetëm konfirmuan se paralajmërimet për aterim të aeroplanëve bëhen edhe në 24 orët e fundit, kështu që nuk përjashtohet mundësia që si në Shkup, Ohër, ashtu dhe në Prishtinë, të paraqiten linja të reja të fluturimeve.