Prapavija historike
"Pas vdekjes s’Aleksandrit, maqedonasit bënë disa mbretëri n’Asi..." Sami Frashëri
Iliro-maqedoni i pavdekshëm
Leka i Madh (356-323 p.l.K) pushtoi pjesën më të madhe të botës që njihej në lashtësi. Perandoria e Lekës së Madh shtrihej që nga ujërat e Adriatikut e Jonit në perëndim e gjër në kreshtat e larta të Himalajeve në lindje, të cilat janë gjëra të mirënjohura për shkencën e historisë. Robert D’Angely në veprën e tij
‘Enigma’ vë në pah faktin se dymijë vjet para Lekës së Madh ka ekzistuar një dyndje e të bardhëve prej Europës Juglindore drejt Lindjes. Ekspedita e Lekës, vë në dukje Robert D’Angely, ishte veçse një përsëdytje e së parës ekspeditë pellazge. Aristidh Kola nxjerr të vërteta edhe më të mbrehta. Dardanët kanë bërë shtegëtime-ngulime të shumta drejt Lindjes ku kanë përhapur kulturën dhe qytetërimin e tyre, madje gjër në Tibet e Indi, ku edhe sot e tutje në brigjet e lumit Ind ekziston një trevë që quhet Dardanistan, popullsia e të cilëve është e dhënë pas zejes së metalurgjisë, ngjashëm si profesioni i dardanëve të lashtë. Madje, thuhet se kur Leka i Madh arriti në Indi, priftërinjtë e atyshëm i rrëfyen për fushata të mëparshme të bashkëatdhetarëve të tij në atë vend.
Ndërkaq, nga rrëfenjat e lashta janë të njohura shtegëtimet epike të Dionisit dhe Herkulit drejt lindjes. Pra, përforcohet një nga ligjet e mirënjohura shoqërore të shtegëtimeve të mëdha të popullsive
‘nga i njohuri te i njohuri’, ku popullsia shtegëtuese paraprakisht ka të dhëna mbi popullsitë ku mund të zhvendoset. Një udhëtar i vetëm mund të shkojë drejt së panjohurës, drejt një vendi të panjohur, porse një popullsi shkon drejt së njohurës, drejt një vendi me popullsi të njohur. Duket, se ekspedita epike e Lekës së Madh ishte veçse përvijim i ekspeditave të mëparshme pellazge në ato vende. Robert D’Angely madje shpërfaq një fakt tjetër interesant: ushtarët e Lekës u hakërryen pamasë nga udhëheqësi i tyre kur ky i fundit u kërkonte të vazhdonin edhe më tej brenda Indisë dhe ata thoshin se nuk donin të shkonin më larg së stërgjyshërit e tyre.
Ngulimet e ushtrisë së Lekës së Madh në viset e pushtuara aziatike janë kyçi i zgjidhjes së enigmës së popullsive të bardha të Azi. Sipas jetëshkruesit të Lekës së Madh, Arianit, pjesa më e madhe e ushtrisë se Lekës përbëhej nga ushtarë me zanafillë iliro-thrake (ilirë, thrakë, maqedonas, peonë, agrianë, etj.) si ‘popujt më të fortë dhe më luftarakë të Europës kundrejt racave më të dobëta dhe më pak burrërore të Azisë’. Sipas studiuesit Eduin Zhak, Leka i Madh para se të nisej në fushatat e Lindjes kishte kërkuar nga qytet-shtetet greke 7000 ushtarë, por faktikisht siguroi shumë më pak. Madje, një studiues shqiptar (Qafëzezi, 1929) pohon se në ushtrinë e Lekës ishin vetëm 600 grekër. Duket se Leka i Madh s’u zinte besë grekërve, prandaj ai mbështetej më shumë te maqedonasit, epirotasit, ilirët e thrakasit. Më tej gjithnjë sipas Eduin Zhakut, në vitin 331 p.e.s. pakënaqësitë e grekërve ndaj Lidhjes së Korintit rrjedhuan në kryengritje e cila kërkonte ndërhyrjen e maqedonasve për ta shtypur këtë kryengritje. Prandaj Leka i liroi nga ushtria e tij të gjithë aleatët e vegjël grekë dhe vitet që pasuan vazhdoi pa ndihmën e tyre. Ky fakt është mëse i mjaftueshëm (në mesin e shumë të tjerëve) për ta hudhur poshtë pretendimin e pabazë se gjoja pasardhësit e Lekës në Azi janë grekër! Prandaj me arsye të thjeshtë çelësi i hapjes së enigmës të pasardhësve të Lekës në Azi kërkohet pikërisht te pasardhësit e Lekës dhe ushtrisë së tij në Europën Juglindore, saktësisht te populli shqiptar. ‘Përgjigjja gjendet në përbërjen e ushtrisë së Aleksandrit të Madh, d.m.th në popullin që jo vetëm pushtoi Azinë, por edhe u vendos në vendet e pushtuara si klasë udhëheqëse. Dhe ky popull ishin maqedonasit dhe ilirët, d.m.th populli i vendit që kishte për burim popullin pellazgjik...’ shkruan Aristidh Kola në librin e tij
‘Gjuha e Perëndive’ (Plejad 2003, fq.73).
Fushatat luftarake të Lekës së Madh në malësitë e Baktrienisë (Afganistani i sotëm) dhe Sogdianës (330-327 p.e.s) fatmirësisht janë të dokumentuara. Pushtimi i këtyre krahinave të pabindura e dërrmoi rëndë ushtrinë e Lekës. Ndërsa, marshimi kundër Indisë së madhe për pak sa nuk e ndjelli një rrebelim-dezertim shkatërrimtar në ushtrinë e Lekës, e cila ishte e lodhur dhe e velur nga pushtimet e tepërta. Vlen të nënvizohet fakti se në Baktrieni Leka kishte lënë prapa 10 mijë këmbësorë dhe 3500 kalorës me gjithë garnizionet në fortifikatat e ndryshme në pika kyçe rrugore e malore. Ndërprerja e mësymjes kundër Indisë dhe kthimi i detyruar prej ushtarëve, Lekën ambicioz e vuri përballë një sprove të vështirë. Leka i Madh hamendësonte me të drejtë se kthimi i ushtrisë së tij në atdhe mund të shkaktonte humbjen e të gjitha tokave të fituara me gjak, veçmas në krahinat e Baktrienisë dhe Sogdianës. Leka i Madh zgjuarisht shtroi një plan largpamës dhe gjenial: përse të mos martoheshin oficerët e tij të lartë maqedonas me gra perse, në mënyrë që të krijohej një brez fisnikërie prej gjaku maqedono - pers? Vetë, Leka u martua me dy gra: me Statirën, vajza e madhe e Darit dhe me Parisatisin, vajzën e vogël të Antarkserksit III. Më parë për të paqësuar Baktrieninë, Leka qe martuar me Roksanën, bijën e një prijësi baktrien.
Arthur Uaigall (1880-1934), historian i Lekës së Madh thotë se me këto veprime Leka mëtonte që në zemrën e Perandorisë Perse të krijonte një aristokraci të re si hallkë lidhjeje mes Lindjes dhe Perëndimit. Në gjysmën e parë të viti 324 p.e.s. në pallatin mbretëror të Suzës u bë zyrtarizimi i martesave aristokrate të 90 çifteve, domethënë oficerëve më të lartë të ushtrisë së Lekës me gra aristokrate perse. Ndërkohë, u kërkuan edhe 10000 vajza perse me origjinë të thjeshtë që duhej të lidhnin kurorë me oficerë të gradave të ulta dhe ushtarë të thjeshtë. Arthur Uaigall vijon më tej në librin e tij (1933): “Bota duhej të pushtohej dhe njerëzimi duhej t’i qëndronte besnik atij dhe dinastisë së tij. Vendosja e marrëdhënieve të krushqisë në mes elementëve me ndikim politik te popujt, duhej t’i shërbente arritjes së këtij synimi. (...) Nga kujdesi për sigurinë e frontit lindor kundër kryengritjeve i interesonte që jo vetëm ushtria, me sa të ishte e mundur, të linte pas vetës një numër të mirë fëmijësh të lindur brenda martesës, të cilët do të rriteshin në shtresat e larta dhe të mesme të shoqërisë, por që edhe ndër viset e pushtuara të ruanin një kujtim miqësor për maqedonasit që të mos kishte as hidhërim, as armiqësi”
(Aleksandri i Madh, fq.359-360, Shtëpia botuese ‘Bargjini’, Tiranë 2002). Ndërkaq,
Aref Mati në librin
“Shqipëria-Odiseja e pabesueshme e një populli parahelen” shkruan: “Të gjithë ushtarët e kësaj ekspedite nuk u kthyen në vendlindjen e tyre: ata krijuan trungun e tyre dhe përhapen kulturën dhe gjuhën e tyre nëpër të gjithë Lindjen, prej Azisë së Vogël deri në Himalaja (mal maja) duke kaluar nëpër Persi, Baktrianë, Afganistan dhe luginën e Indusit”.
(Plejad 2007; fq.279)
Mbretëri të veçuara pas shpërbërjes së Perandorisë jetëshkurtër të Lekës kanë ekzistuar të pavarura për thuajse tre shekuj pas vdekjes së Lekës deri te mbreti Hermes II (55 ose 35 p.e.s.). Lugina e Hunzës ju jetojnë hunzakët/burushët (Pakistani Verior), lugina Kalasha ku jeton fisi kalasha (Nuristan/Afganistan -Çitral/Pakistan), rrafshnalta e Pamirit (Taxhikistan) janë disa “ujdhesa” të të bardhëve që vazhdojnë ta ruajnë edhe sot e kësaj dite në ndërdijen e tyre se janë pasardhës të ushtarëve të Lekës së Madh. Këto popullsi të përveçme nuk janë gjë tjetër veçse copëza të thyera të xhamit të Perandorisë që krijoi kryepellazgu gjenial - Leka i Madh. Rrjedhimisht, përforcohet thënia se këto popullsi janë pasardhëse të ushtrisë së Lekës duke pasur si bazë historike: martesat e shumta maqedono-perse në Suzë më 324 p.e.s. Ky është shpjegimi i përgjithshëm historik i etnogjenezës së tyre, duke i shtuar kësaj edhe faktin që Leka i Madh la prapa vetës shumë garnizione në qytetet që mbanin emrin e tij. Popullsi nga Europa Juglindore i vinin pas ushtrisë së Lekës dhe mbushnin qytetet që krijoheshin. Prandaj popullsitë e bardha në Azinë qendrore mund të jenë pikërisht edhe rrjedhojë e atyre garnizioneve dhe qytetarëve që ruanin e mbushnin qytetet me emrin e Lekës. Këtu gjen vend më shumë se kudo tjetër thënia kuptimplotë e studiuesit të zellshëm britanik Wadham Peacock në librin e tij të shkëlqyer ‘Albania: the Foundling State of Europe" (London 1914) shkruan:. “Njerëzit që mësyen në Babiloni, Persi dhe Indi ishin stërgjyshërit e shqiptarëve” (the men who marched to Babylon, Persia, and India were the ancestors of the Albanians)