ALFRED MOISIU: MARREVESHJA, BERISHA SERVIL NDAJ GREQISE
BERAT -Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu i apeloi dje institucion eve shtetërore të rishikojnë marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë. Në përgjigje të interesimit të medias, Moisiu tha se, “më duket një servilizëm i qeverisë sonë ndaj qeverisë greke. Fakti që ka një reagim në lidhje me këtë çështje, tregon se diçka aty duhet parë”. Deklarata e ish-kreut të shtetit u bë gjatë promovimit në Berat të vëllimit të tij të ri, “Midis Nanos dhe Berishës”, pjesë e “Kujtimet e një Presidenti”. Pyetjes se si e vlerëson bojkotin e opozitës në Kuvend, Moisiu i është përgjigjur se, “nuk dua që të përzihem me palët, por unë them se çështja e manipulimit të zgjedhjeve duhet të marrë fund njëherë e mirë në vendin tonë. Nuk mund të them se është apo jo bojkoti mënyra më e mirë, por gjykoj se kjo është një përpjekje që vërtet kërkon që të përfundojë njëherë e mirë manipulimi i zgjedhjeve në Shqipëri dhe të bëjmë edhe ne zgjedhje siç bëjnë të gjithë të tjerët, pa pasur merak se vota e shqiptarëve nuk do të numërohet ashtu si e ka vendosur zgjedhësi”. Në vijim të përgjigjes së pyetjes për zgjedhjet e fundit parlamentare, ish-kryetari i shtetit ka thënë se hapja e kutive zgjedhore nuk ka se si mos të bëhet (kryhet), pasi hapja e kutive të votimit do t’i japë fund procesit të deformimit të votës dhe do të shërbejë për t’i dhënë fund në proceset e tjera zgjedhore manipulimit të votës.
Promovimi
Pasi është promovuar në qytetin e Vlorës libri më i fundit i ish- presidentit të vendit, Alfred Moisiu ka mbërritur për lexuesit beratas. Aktiviteti për promovimin e librit “Midis Nanos dhe Berishës”, pjesë e “Kujtimet e një Presidenti”, e cila është pjesa e tretë e vëllimit dhe përfshin vitet 2002-2007, është organizuar mbrëmjen e djeshme në këtë qytet. Ka qenë shtëpia botuese “Toena” dhe Bashkia e këtij qyteti, të cilat mundësuan sjelljen e këtij libri për lexuesit beratas. “Në këtë libër pasqyrohen kujtimet dhe ngjarjet, ndërhyrjet dhe veprimet, sukseset dhe dështimet, dëshirat dhe mundësitë që e kanë shoqëruar presidentin Alfred Moisiu për periudhën 5-vjeçare (2002-2007), kohë kur ai ka kryer detyrën e kryetarit të shtetit”, - është shprehur në këtë takim me artdashës të librit drejtuesja e shtëpisë botuese. Ndërsa vetë autori i librit, Alfred Moisiu, midis të tjerash u shpreh se mungesa e shkrimeve të periudhave historike të jetuara nga çdo politikan ka bërë që historia jonë të bastardohet në mënyrë të rrezikshme. Moisiu ka pohuar se Shqipëria nuk ka dalë nga tranzicioni, ajo ka 19 vjet që jeton në tranzicion pasi kemi papunësi të madhe, zhvillim të pabarabartë ekonomik, probleme të korrupsionit galopant si dhe probleme të disnivelit ekonomik ku disa pasurohen me shpejtësi dhe të tjerët vdesin për bukën e gojës, dhe ç’është më e keqja, asnjeri prej politikanëve shqiptarë nuk e di se kur do të përfundojë ky tranzicion. “Dy figurat politike janë përmendur në librin tim, - tha Moisiu, - për t’ju rrëfyer veprimtarinë e tyre politike, pasi tranzicioni në të cilin ndodhemi është prodhim i një pune të politikanëve tanë”.
Akademia e Shkencave: S’dimë gjë për marrëveshjen
Tedi Blushi
Akademia e Shkencave nuk pranon të komentojë marrëveshjen problematike mes Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufirit detar mes tyre, me pretendimin se nuk njihet me përmbajtjen e saj. I kontaktuar dje nga “Gazeta Shqiptare”, kreu i këtij institucioni, Gudar Beqiraj deklaroi se, “për hir të së vërtetës kam parë sot (dje) diçka në gazetën tuaj për këtë çështje, por nuk e kam të qartë kuptimin e marrëveshjes. Ne si Akademi Shkencash s’e kemi diskutuar një çështje të tillë dhe nuk e kam idenë për përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje”, - ka bërë të ditur ai. Një ditë më parë, koloneli në rezervë i Forcave të Armatosura, profesori Myslim Pashaj, i cili bëri një studim mbi skandalin e marrëveshjes, të denoncuar nga “GSH”, por edhe prej tij si një cenim i sovranitetit territorial të vendit, i dërgoi një letër të hapur qarqeve akademike në vend për të sensibilizuar këtë çështje në mënyrë që Parlamenti të mos ratifikojë marrëveshjen. Interesimit të “Gazeta Shqiptare” lidhur me letrën e profesor Pashajt, kreu i Akademisë së Shkencave iu përgjigj se, “në postën time elektronike ka mbërritur kjo letër. Por, ajo është e palexueshme. Unë nuk e kuptoj se çfarë kërkon dhe synon të shprehë koloneli me këtë letër”. I pyetur mandej nëse Akademisë së Shkencave i është kërkuar ekspertizë shkencore nga qeveria për ndarjen e kufirit para firmosjes së marrëveshjes në 26 prill 2009, Beqiraj sqaroi se, “padyshim që jo. Nuk na është kërkuar asnjë mendim nga qeveria”. Përgjigjet e kreut të Akademisë së Shkencave shfaqin hapur tentativën e këtij institucioni për të heshtur përballë cenimit të sovranitetit territorial të vendit me 354.4 km2 sipërfaqe ujore në detin Jon, si pasojë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje. Edhe më skeptikët e kanë të vështirë të besojnë se Akademia e Shkencave është njohur dje për herë të parë me këtë çështje, në një kohë kur debati është hapur nga “Gazeta Shqiptare” qysh në 26 prill 2009, pikërisht ditën e firmosjes së saj në Tiranë nga ministrat e Jashtëm të të dy vendeve, Lulzim Basha dhe Dora Bakojanis. Në disa numra rresht, ‘GSH’ vërtetoi aso kohe se qeveria Berisha i kishte dhuruar Greqisë, nëpërmjet nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, një sipërfaqe të madhe ujore në detin Jon. Fakti i pretenduar do të vërtetohej vetëm pak muaj më vonë nga ish-drejtori i Institutit të Tipografisë Ushtarake të Shqipërisë, koloneli Myslym Pashaj, njëherësh profesor me gradën shkencore “Kandidat i shkencave”, i laureuar me titullin “Mjeshtër kërkimesh”. Në 28 shtator 2009, ‘GSH’ botoi ekskluzivisht studimi prej 117 faqesh të kolonelit Pashaj, sipas të cilit nga kjo marrëveshje cenohej rëndë sovraniteti territorial i Republikës së Shqipërisë, me 354.4 km2 sipërfaqe ujore në detin Jon, që i dhurohej kësisoj Greqisë. Në datën 25 qershor, Komisioni Parlamentar i Ligjeve e miratoi këtë marrëveshje dhe tani pritet që fjalën e fundit ta thotë seanca plenare e 19 tetorit. Por, publikimi i këtyre fakteve tronditëse, qartazi e bën të pamundur ratifikimin e kësaj marrëveshjeje tërësisht antikombëtare.